This website uses non-intrusive cookies to improve your user experience. You can visit our cookie privacy page for more information.

Pyetje që bëhen shpesh

A mundet që punëdhënësi im të më bëjë të paguaj për pajisjet personale mbrojtëse (PPM)?

Është e jashtëligjshme që punëdhënësi juaj t'ju bëjë të paguani për pajisje apo veshje personale mbrojtëse të cilat ju duhen për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë në punë. Është po ashtu e jashtëligjshme që punëdhënësi juaj t'ju marrë një depozitë të rimbursueshme nga ju për këtë.

Ju duhet të keni PPM për përdorim në punë sa herë që ekzistojnë rreziqe ndaj shëndetit dhe sigurisë tuaj që nuk mund të kontrollohen me mënyra të tjera të përshtatshme. PPM-të përfshijnë veshje për kohë të lagët dhe të ftohtë, gjë e cila mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për punën në mjedise jashtë.

Ofruesit e punës dhe përdoruesit mund të bëjnë marrëveshje se cili prej tyre do të paguajë për PPM-të e nevojitura, por nuk mund t'i transferojnë këto kosto tek ju. Megjithatë, ata mund të bëjnë një ulje nga pagat tuaja përfundimtare, nëse ju nuk i ktheni pajisjet që ju janë dhënë kur largoheni nga punësimi për të cilin ato janë lëshuar. Por ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse kjo gjë është bërë e qartë në kontratën tuaj kur të keni filluar punë.

Punëdhënësi im na bën t'i këmbejmë PPM-të. A është kjo e rregullt?

Për përdorim afatshkurtër (p.sh. kur nevojiten vetëm për punë të shkurtra pastrimi), PPM-të e këmbyera janë në rregull, nëse punëdhënësi kujdeset siç duhet për t'u siguruar se janë të lara, të pastruara (gjë e cila duhet të përfshijë dezinfektimin kur është e nevojshme) dhe tharjen në pajtim me udhëzimet e prodhuesit përpara se të përdoren sërish.

Çfarë duhet bërë për banjat, vendet e larjes dhe ujin e pastër të pijshëm?

Punëdhënësi juaj duhet të ofrojë mjedise për t'u larë, banja dhe mjedise për pushim dhe ndërrim për ju kur jeni në punë dhe një vend të pastër për të ngrënë dhe për të pirë gjatë pushimeve.

Banjat dhe lavamanët, me sapun dhe peshqirë ose një tharës duarsh, si dhe uji i pijshëm janë veçanërisht të rëndësishëm nëse punoni në vende të largëta apo jashtë, duke bërë punë krahu, të tilla si puna apo mbjellja dhe korrja e produkteve bujqësore dhe ndërtimi.

Punëdhënësi juaj duhet të ofrojë edhe një vend për të vendosur veshjet dhe një vend për t'u ndërruar nëse mbathen veshje të posaçme gjatë punës.

Udhëzime të mëtejshme mund të gjenden në fletëpalosjen e HSE-së, Shëndeti. Siguria dhe Mirëqenia në vendin e punës

Çfarë duhet bërë për ndihmën e parë?

Aksidentet dhe sëmundjet mund të ndodhin në çdo kohë dhe ndihma e parë mund të shpëtojë jetë dhe mund të parandalojë që lëndimet e vogla të bëhen lëndime të mëdha. Punëdhënësi juaj duhet të sigurohet që ju të merrni ndihmë të parë emergjente nëse ju nevojitet.

Organizimi i ndihmës së parë do të varet nga rrethanat e veçanta në vendin tuaj të punës. Si minimum, punëdhënësi juaj duhet:

  • të kenë një kuti të ndihmës së parë të pajisur mirë
  • të caktojë dikë që të jetë përgjegjës për organizimet e ndihmës së parë
  • t'ju shpjegojë qartë se cilat janë organizimet e ndihmës së parë

Punëdhënësi juaj do të vendosë nëse vendit të punës i nevojitet një person që jep ndihmën e parë. Ky person do të jetë dikush që është trajnuar dhe është i kualifikuar në dhënien e ndihmës së parë në punë ose dhënien e ndihmës së parë emergjente në punë.

Informacion më i hollësishëm mund të gjendet në faqet tona të ndihmës së parë dhe në fletëpalosjen tonë Ndihma e parë në punë: Përgjigje për pyetjet tuaja

Çfarë duhet bërë për trajnimin?

Punëdhënësi juaj duhet t'ju japë informacionin, udhëzimet dhe trajnimin që ju nevojitet për të kryer punën tuaj në mënyrë të sigurt dhe pa rrezik për shëndetin tuaj.

Ajo që do t'ju nevojitet do të varet nga natyra e punës: Informacioni, udhëzimet dhe trajnimi mund të jenë thjesht udhëzime të ofruara nga një mbikëqyrës; ose mund të jenë një kurs zyrtar që ofron trajnim bazë gjithëpërfshirës dhe kualifikime të akredituara.

Pavarësisht se kush e bën trajnimin (d.m.th. përdoruesi/rekrutuesi, agjencia/ofruesi i punës, etj., apo dikush tjetër), ofruesi i punës dhe përdoruesi duhet që së bashku:

  • T'ju shpjegojnë qartë se kush do të ofrojë prezantimin dhe trajnimin në lidhje me punën, kur do të bëhet dhe si
  • T'ju japin trajnimin prezantues dhe çdo trajnim të lidhur me punën/trajnim profesional që ju nevojitet
  • T'ju japin informacion përkatës rreth rreziqeve ndaj të cilave mund të ekspozoheni dhe masave që duhet të ndërmerrni për t'i shmangur ato
  • Të marrin parasysh nevojat tuaja nëse ju nuk flisni anglisht mirë, dhe nëse ekziston nevoja për ndihmë shtesë, si për shembull përkthimi me gojë, materialet e përkthyera ose përdorimi i anglishtes së thjeshtë. DVD-të mund të jenë një mënyrë efikase për të trajnuar personat që kanë vështirësi në anglisht
  • Të sigurohen se ju e keni marrë dhe e keni kuptuar informacionin, udhëzimet dhe trajnimin që ju nevojitet për të punuar në mënyrë të sigurt, dhe të mund t’i ndiqni ato siç duhet
  • Të sigurohen që ju mbikëqyreni siç duhet, dhe të dini si të ngrini çdo shqetësim rreth shëndetit dhe sigurinë te mbikëqyrësit tuaj dhe të dini të gjitha organizimet dhe procedurat emergjente.

A mund të marr ndihmë për çështjet e gjuhës?

Ka kurse të Anglishtes për Folës të Gjuhëve të Tjera (ESOL) nëse ju duhet të përmirësoni anglishten tuaj:

Kualifikime të hartuara për t'ju mësuar anglishten bazë që mund t'ju nevojitet në vendin e punës. Mund t'ju duhet të paguani diçka për kursin, por nëse mund të flisni dhe të lexoni/shkruani anglisht, mundet që t’ju duket më e lehtë të punoni në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme, të merrni pjesë dhe të përparoni, si në punë ashtu dhe në jetën e përditshme.

A mund t'i transferoj ose të përdor ndonjë kualifikim ose aftësi përfshi kualifikimet profesionale të marra në shtetin tim kur punoj në Britani?

Në përgjithësi, ligji britanik për shëndetin dhe sigurinë nuk i njeh kualifikimet ose testet e aftësimit të marra jashtë shtetit, përveçse kur janë kualifikime zyrtare të nivelit kombëtar. Nëse po, atëherë punëdhënësi juaj mund të jetë në gjendje të marrë dokumentin e barasvlershëm të certifikuar nga autoriteti kompetent në MB, Qendra e MB-së për Njohjen e Informacionit. Nëse jo, ka të ngjarë që do t'ju duhet t'i nënshtroheni një testi, dhe mundësisht të ri-trajnoheni nëse po bëni një punë ku ju nevojiten aftësi specifike (si për shembull drejtimi i një automjeti me pirun, ose përdorimin e një sharre elektrike). Kjo bëhet për shkak se punëdhënësi juaj ka detyrimin ligjor të sigurohet që ju jeni kompetent për punën që bëni.

Në industrinë e ndërtimit, karta e Skemës së Certifikimit të Aftësive të Ndërtimit njihet si një mënyrë për të treguar dëshmi për aftësitë e punëtorit. Organizata përgjegjëse për mbikëqyrjen e aftësive dhe trajnimin në industri është Construction Skills.

Çfarë duhet të bëjë punëdhënësi im nëse unë jam shtatzënë?

Ju duhet ta njoftoni punëdhënësin tuaj (me shkrim) nëse jeni shtatzënë, duke ushqyer me gji ose keni lindur fëmijë në gjashtë muajt e fundit. Punëdhënësi juaj duhet t’i ketë marrë parasysh të gjitha rreziqet ndaj grave që mund të lindin fëmijë, veçanërisht nëse ato janë shtatzëna ose duke ushqyer me gji dhe duhet të jetë siguruar që këto kontrolle të mbahen nën kontroll. Por nëse i thoni punëdhënësit tuaj se jeni shtatzënë ose sapo keni lindur fëmijë, do ta ndihmojë punëdhënësin të vendosë nëse i duhet të marrë ndonjë masë të veçantë për t'ju mbrojtur.

Nëse vlerësimi i rrezikut ka identifikuar ndonjë rrezik ndaj shëndetit dhe sigurisë tuaj ose të foshnjës tuaj, punëdhënësi juaj duhet të marrë masë për ta larguar, reduktuar ose kontrolluar rrezikun.

Nëse rreziku nuk mund të largohet, punëdhënësi juaj duhet:

  • që përkohësisht të përshtatë kushtet tuaja të punës dhe orët e punës; ose nëse kjo gjë nuk është e mundur:
  • t'ju ofrojë punë alternative të përshtatshme (me të njëjtën tarifë pagese) nëse ka; ose nëse kjo gjë nuk është e mundur:
  • t'ju pezullojë nga puna me leje të paguar për sa kohë që të jetë e nevojshme, për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë tuaj, dhe atë të foshnjës.
  • Këto të drejta, kur jeni shtatzënë janë mbuluar nga Ligji i të Drejtave të Punësimit 1996.

Për më shumë hollësi, shikoni nënat e reja dhe nënat që presin fëmijë

Çfarë duhet bërë nëse kam një shqetësim në lidhje me shëndetin dhe sigurinë në punë?

Fillimisht ju duhet:

  • Të flisni me punëdhënësin, menaxherin ose mbikëqyrësin tuaj.
  • Të flisni me përfaqësuesin tuaj të sigurisë nëse ka një të tillë

Nëse kjo nuk e zgjidh çështjen, dhe ju doni të ankoheni rreth kushteve të shëndetit dhe sigurisë në punë, ne mund t'ju japim informacion dhe këshilla dhe mund t'i hetojmë shqetësimet tuaja më tej.

Nëse punoni në një biznes për të cilin HSE-ja nuk imponon ligjet e shëndetit dhe të sigurisë, si për shembull një dyqan, zyrë ose shumicën e magazinave, ne do t'ju japim kontaktet e autoriteteve vendore në vendin ku ndodhet biznesi. Ju më pas duhet të kontaktoni departamentin e Shëndetit Mjedisor të Autoriteti për të bërë ankesën tuaj.

Kur HSE-ja shqyrton një ankesë ajo nuk e jep identitetin e personit që është ankuar. Ne nuk i themi punëdhënësit se është bërë një ankesë përveçse kur ju na thoni se nuk ka problem nëse kjo gjë bëhet.

Hollësi të mëtejshme mund të gjenden tek ankesat rreth shëndetit dhe sigurisë në vendin e punës.

Raportoni ankesën tuaj duke përdorur formularin tonë në internet – nëse nuk mund të përdorni këtë formular në internet, atëherë ankesën tuaj mund ta bëni duke telefonuar Ekipin tonë të Ankesave dhe të Këshillimit në numrin 0300 0031647 gjatë orarit të punës.

Mbani mend, sipas ligjit britanik, ju keni edhe të drejta të tjera bazë si për shembull kufizimi se sa gjatë duhet të punoni, koha e pushimit, pushimet e shkurta dhe leja vjetore e paguar.

HSE-ja ka hartuar edhe një kartë xhepi për punëtorët që vijnë nga jashtë:

"Punoni në MB nga jashtë vendit? – shëndeti dhe siguria juaj gjatë punës në bujqësi dhe përpunim ushqimor" (INDG410)

Kjo kartë ofron informacion bazë dhe thelbësor mbi të drejtat dhe përgjegjësitë tuaja sipas legjislacionit të MB-së për shëndetin dhe sigurinë - informacioni aplikohet për të gjitha industritë, jo vetëm për bujqësinë dhe përpunimin e ushqimit. Ne e kemi përkthyer në disa gjuhë të ndryshme.

Mund t'ju ndihmojë nëse lexoni edhe botime të tjera të HSE-së që janë përkthyer në gjuhë të tjera përveç anglishtes.

Burime të tjera

Çfarë mund të bëj për t’u siguruar që të drejtat e mija të punësimit në punë të jenë të mbrojtura?

Ndihmë e këshilla për punonjësit e punëdhënësit mbi të drejtat dhe detyrimet në punë

Acas

Linja e ndihmës Acas ofron këshilla falas dhe të pavarura si për punonjësit ashtu dhe për punëdhënësit që kërkojnë informacion mbi të drejtat dhe rregullat e punësimit ose që janë përfshirë në një mosmarrëveshje punësimi.

Acas ka një mjet të linjës së ndihmës në internet që mund t'i përgjigjet pyetjeve tuaja. Mësoni më shumë se si mund t'ju ndihmojë Acas përfshi shërbimin e linjës tonë të ndihmës në internet.

Acas mund të ndihmojë duke ju përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me:

  • të drejtat e punësimit
  • disiplinën dhe ankesat
  • pagesën dhe pagën kombëtare minimale
  • kontratat dhe kushtet e përgjithshme
  • orarin e punës, kohën e pushimit dhe të drejtën e pushimeve vjetore
  • barazinë në vendin e punës
  • punën për agjenci punësimi ose organizatorë të punës
  • licencimin e organizatorëve të punës dhe agjencive të punësimit.

Acas ofron edhe një listë të plotë të ligjeve të punësimit dhe këshilla mbi marrëdhëniet e punësimit në faqen e saj të internetit. Vizitoni ACAS për më shumë informacion.

Numri i linjës së ndihmës së Acas-it

Telefoni: 0300 123 1100
E hënë deri e enjte 08.00 - 20.00 
E shtunë 09.00-13.00

Ankesat

Mund të bëni një ankesë direkt rreth punëdhënësit tuaj te organet përkatëse zbatuese të qeverisë si më poshtë:

  • Të Ardhurat dhe Doganat e Mbretërisë (HMRC) - Rreth pagës kombëtare minimale
  • Inspektorati i Standardeve të Agjencive të Punësimit - rreth legjislacionit të punësimit nga agjenci (përveç Rregullores së Punonjësit të Agjencisë)
  • Autoriteti i Licencimit të Organizatorëve të Punës (GLA) - rreth të punësuarve nga agjenci në bujqësi, kopshtari, mbledhjen e guaskave të detit ose përpunim e paketim
  • Ekzekutivi i Shëndetit dhe Sigurisë (HSE) - rreth problemeve të orarit të punës, përfshi orët maksimale javore të punës
  • Defra - rreth pagave në bujqësi

Mund të bëni një ankesë edhe në emër të dikujt tjetër.

A mundet që punëdhënësi im të më bëjë të paguaj për strehimin?

Edhe pse shumë punëtorë nga jashtë vendit organizojnë strehimin e tyre, në disa industri, veçanërisht në bujqësi dhe shëndetësi, strehimi shpesh herë ofrohet nga ofruesi ose përdoruesi i punës.

Informacion i mëtejshëm dhe udhëzime mbi aplikimin e ligjit përkatës për strehimin e banimit mund të merret nga autoritetet vendore.

Çfarë ndodh nëse unë jeton në banesë me qira që nuk është e sigurt, është e mbipopulluar ose është e mirëmbajtur keq?

Pronari juaj ka detyrime sipas Rregullores së Sigurisë së Gazit (Instalimi dhe Përdorimi) 1988 për të organizuar mirëmbajtjen nga një inxhinier i regjistruar i Sigurisë së Gazit për të gjithë tubacionet, pajisjet dhe qyngjitë që ata zotërojnë dhe jua kanë ofruar ju për përdorim. Pronari juaj duhet të organizojë që kontrolli vjetor i sigurisë së gazit të bëhet çdo 12 muaj nga një inxhinier i regjistruar i sigurisë së gazit. Ata duhet t'i mbajnë shënimet mbi kontrollin e sigurisë për 2 vjet dhe t'i japin një kopje të tij çdo qiramarrësi brenda 28 ditëve pasi të jetë përfunduar kontrolli dhe t'i japin një kopje çdo qiramarrësi të ri përpara se ata të hynë në banesë.

Kushtet e këqija të jetesës mund të kenë një ndikim të madh edhe mbi qiramarrësin e fqinjët. Nëse keni shqetësime rreth cilësisë së strehimit të ofruar nga pronari juaj atëherë kontaktoni autoritetin tuaj vendor ose Zyrën e Këshillimit të Qytetarëve. Mundet që këshillat nga organizata bamirëse Shelter, t'ju ndihmojnë.

2016-03-30