Faqja e internetit të HSE-së për punëtorët migrantë është krijuar për t’u ofruar punonjësve nga jashtë shtetit dhe punëdhënësve të tyre informata të rëndësishme, udhëzime dhe këshilla mbi shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës.
Qeverinë e shqetëson mundësia e abuzimit dhe e shfrytëzimit të punëtorëve që vijnë nga jashtë shtetit. HSE angazhohet për përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore dhe sigurisë në punë për të gjithë punonjësit, pavarësisht punës që bëjnë apo statusit të imigrimit.
Këto faqe interneti janë ndërtuar posaçërisht për të shpjeguar se si i mbron ligji për shëndetin dhe sigurinë në punë ata që kanë ardhur nga jashtë shtetit për të punuar këtu. Këto ofrojnë edhe udhëzime të rëndësishme për rolet dhe përgjegjësitë e punëdhënësve dhe punonjësve në bazë të ligjit britanik për mbrojtje shëndetësore dhe siguri.
Në bazë të ligjit britanik për mbrojtje shëndetësore dhe siguri në punë, të gjithë punonjësit gëzojnë të njëjtin nivel mbrojtjeje, pavarësisht nëse kanë të drejtë të punojnë këtu apo jo. Ai gjen zbatim për punëdhënësit, personat e vetëpunësuar, organizatat e punësimit (përfshirë agjencitë dhe kontraktuesit) dhe punonjësit që punojnë me orë të plota, me orar të reduktuar ose me kontrata të përkohshme – për shembull si punonjës `agjencie`.
Informatat në këtë faqe interneti do të jenë të dobishme si për punëdhënësit, ashtu edhe për punonjësit.
Punonjësit që vijnë në Britani nga jashtë shtetit mund të hasin në rreziqe të panjohura në punët që do të bëjnë dhe në një mjedis e kulturë pune që mund të jetë e ndryshme nga ajo e vendit prej nga vijnë.
Për informatë zyrtare në lidhje me mbrojtjen shëndetësore dhe sigurinë në punë, ndiqni lidhjet në tekst për udhëzimet e posaçme dhe referojuni legjislacionit përkatës.
Disa nga publikimet tona janë përkthyer në gjuhë të tjera. Ato mund t’i shkarkoni nga lidhja e mëposhtme.
Linja e HSE-së për informata ka pajisje për të mundësuar biseda trepalëshe mes një këshilluesi të linjës së Informatave, telefonuesit dhe një përkthyesi, në rastet kur telefonuesi nuk flet anglisht. Kjo mundësi ofrohet në mbi 100 gjuhë.